Të rejat në komunën tonë

Themelohet task forca “Ta pastrojmë Gjilanin”

Gjilan, 3 shtator 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka themeluar sot task forcën “Ta pastrojmë Gjilanin”, në kuadër të aksionit të qeverisë së Kosovës “Ta pastrojmë Kosovën”, që parasheh organizimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për pastrimin e ambientit dhe mirëmbajtjen e tij. Kordinator i task forcës “Ta pastrojmë Gjilanin” është kryetari Lutfi Haziri, i cili ka bërë thirrje për mobilizim masiv të qytetarëve, ndërsa anëtarë të saj janë udhëheqësit kryesor të resorëve të ndryshëm që nga drejtoritë komunale, ndërmarrjet publike, organizimet e grave dhe rinisë etj. “Nga 15 shtatori deri më 15 tetor do të jetë aksion i përditshëm pastrimi i Komunës së Gjilanit nëpër të gjitha lagjet, fshatrat, lumenjtë, shkollat dhe gjithë hapësirës në përgjithësi. Naser Korça, nga Shërbimet Publike, Ramiz Ramadani nga Drejtoria e Bujqësisë, Nazim Gagica nga Drejtoria e Arsimi, Senad Rama nga Ekohigjiena, Avdyl Jerliu nga ndërmarrja Tregu, Muhamet Suliqi nga Hidromorava, Genc Mustafa nga sektori i Rinisë, Lindita Salihu përfaqësuese e grave, Muhamet Pajaziti nga zyra e informimit, do të jenë anëtarët që do të vëhen në lëvizje për të mobilizuar sa më shumë qytetarë në aktivitetin për pastrim”, ka thënë kryetari Haziri. Ai, gjithashtu, ka potencuar se në këtë aktivitet përfshihen edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, shoqata të ndryshme që bashkërisht deri në fund të kësaj jave do ta bëjnë incizimin e gjendjes në terren dhe planin operativ për ndërhyrje në kuadër të muajit të pastërtisë. “Gjithë hapësira e Komunës duhet të pastrohet dhe të mirëmbahet. Do të mbjellen mbi një mijë drunjë dekorativ dhe do të mirëmbahen ata ekzistues. Fshat e qytet duhet të mobilizohen për këtë aktivitet jetik për një shëndet më të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai. Më tej kryetari Haziri ka apeluar edhe tek të gjithë operatorët ekonomik që t’i përgjigjen këtij aksioni me makineri të ndryshme që të shënohet sukses i përbashkët, sikur që ka ftuar edhe nxënësit e shkollave, studentët e organizatat e shoqërisë civile, që të japin kontribut në këtë drejtim. Vlen të theksohet se gjatë muajit të pastrimit, Deponia Regjionale e Mbeturinave do të pranoj mbeturinat pa pagesë.

Nis ndërtimi i kapërderdhëses në pendën e Përpenicës

Gjilan, 3 shtator 2018 – Ka nisur sot ndërtimi i kapërderdhëses në pendën e Përlepnicës, e cila po bëhet pas inicimit të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, me financim të qeverisë së Kosovës. Në fillimin e punimeve ka marrë pjesë kryetari Haziri, ish-nënkryetari i Gjilanit, aktualisht zëvendësministër i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu dhe drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi. “Penda e Përlepnicës për herë të parë në historikun e saj po hyn në fazën e sanimit. Ka tri vite si Komunë që kemi punuar shumë që të vije ky projekt. Penda e Përlepniës siguronj ujin e pijshëm për 82 për qind e qytetarëve të Gjilanit, 24 orë e shtatë ditë. Shpresoj që operatori do t’i përmbahet planit dinamik për ta realizuar me kohë”, ka deklaruar kryetari Lutfi Haziri. “Unë e falënderoj Qeverinë e Kosovës për mbështetjen, në emër të së cilës është sot zëvëndësminitri Kadriu, me të cilin kemi punuar bashkë vazhdimisht. Së bashku me qeverinë, e kemi vendosur edhe ndërtimin e rrugës që çon te penda, sikurse që po punojmë në një plan rekreacioni këtu në kodrat e Përlepnicës”, shtoi kreu i Gjilanit. Kurse, zëvendësminitri i Infratrukturës, Rexhep Kadriu, pohoi zotimin e kryeminitrit Haradinaj se çdo projekt i Gjilanit do të mbështetet me të gjitha mundësitë. “Bashkarisht me kryetarin Haziri për vite të tëra kemi bërë përpjekje që kapërderdhësja të rindërtohet sepse qysh në vitin e largët 1997 nga ish rexhimi ka mbetur i pakryer ky pozicion dhe e ka rrezikuar trupin e pendës. Kryeministri Haradinaj, me të marrë lajmin nga kryetari Haziri dhe nga unë, e ka nxjerrë vendimin urgjent për sanimin të kësaj pjesë. Me kryeminitrin dhe kryetarin e Gjilanit jemi duke punuar që shumë shpejt të filloj studimi i fizibilitetit të qëndruershmërisë së trupit të pendës këtu, e cila është jetike për qytetarët e Gjilanit”, tha Kadriu “Është një ditë shumë e rëndësishme për Gjilanin pas fillimit të punimeve në ndërtimin e kapërderdhëses, e cila besoj që do të përfundoj brenda këtij viti sipas planit dinamik. Me ndërtimin e kapërderdhëses, sigurohet edhe trupi i pendës këtu në Përlepnicë, që do të thotë se banorët do të jenë më të qetë dhe nuk do të ketë vend për shqetësime. E falënderoj kryetarin Haziri i cili vazhdimisht ka kërkuar prej qeverisë që të ndahen mjete për këtë projekt, sikurse edhe zvëndësminitrin Kadriu për kontributin në këtë drejtim dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”, është shprehur, ndërkaq, dhe drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.

Gjilani e nis mbarë vitin shkollor 2018/2019

Gjilan, 3 shtator 2018 – Të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme në komunën e Gjilanit kanë filluar sot mësimin me kohë, falë përgatitjeve maratonike që janë bërë javëve të fundit. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e DKA’së, Nazim Gagica, kanë vizituar shkollën fillore “Abaz Ajeti”, gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti” dhe shkollën fillore “Skënderbeu” në Përlepnicë, duke parë nga afër procesin. “Në përgjithësi sot e kemi parë që është nëj fillim i mbarë i vitit shkollor 2018/2019. Do të punojmë në mbylljen e problemeve të vogla teknike, të cilat janë të natyrshme si pjesë e punës. Detyrimisht, ky është njëri prej viteve më të përgatitura dhe më të mbara që po e fillojmë. Palestrat dhe sallat sportive janë të furnizuara. Shkolla në Përlepnicë dhe në Bresalc janë paraparë që të renovohen totalisht në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë elektrike me donatorët. Urime dhe suksese për nxënësit, mësimdhënësit e prindërit”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë vizitës që u ka bërë këtyre shkollave. Haziri konfirmoi se shkolla e mesme e artit do të finalizohet me një dinamikë më të madhe, sikurse edhe ajo në Haxhaj, duke shtuar së në vitin e ardhshëm nis ndërtimi i shkollës fillore në qytet. Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim Gagica, ka njoftuar se të gjithë nxënësit nga klasa e parë e deri në të nëntën janë pajisur me tekstet shkollore. “Procesi mësimor në të gjitha shkollat ka filluar me rregull dhe konsideroj se në këtë vit shkollor kemi hyrë mjaft të përgatitur. 11 mijë e 724 nxënës janë pajisur me tekstet shkollore falas dhe këtë vit risia është që tekstet u janë dhënë edhe nxënësve të klasave të nënta. Këtë vit kemi filluar edhe me furnizim me kohë të ditarëve që në ditën e parë dhe gjithë procesi po ecën mirë. Uroj nxënësit, mësimdhënësit dhe nxënësit”, ka thënë Gagica. Drejtori i shkollës fillore “Skendërbeu” në Përlepnicë, Fidan Shaqiri, drejtori i shkollës fillore “Abaz Ajeti”, Arsim Bejtullahu dhe ai i gjimnazit natyror, Bekim Mustafa, e kanë falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e madhe për sektorin e arsimit.

Gjilani mban debat kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit

Gjilan, 31 gusht 2018 – Në Komunën e Gjilanit, sot është mbajtur debat me shoqërinë civile, rininë e partive politike dhe OJQ-ve, të organizuar nga organizata “Liza-R” e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Paneli në përbërje të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetarit të Gjykatës Themelore, Ramiz Azizi, anëtarit të MR-së Muhamed Hyseni, Ganimete Gërbavcit nga MPB, Eldin Buzgoviq nga ICITAP dhe Xhevat Bajramit nga MKRS, kanë debatuar me të rinjtë për punën dhe angazhimet të cilat janë të parapara për këtë vit në mënyrë që rastet të cilat mund të identifikohen në Komunën e Gjilanit të marrin trajtimin profesional nga Mekanizmi Referues, me qëllim që të ruhet qetësia dhe siguria publike. Kryetari i Komunës së Gjilanit ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen maksimale për Mekanizmin Referues dhe njëkohësisht ka falënderuar për angazhimin e tyre të vazhdueshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ICITAP-it, Ambasadës Amerikane, UNDP dhe të gjitha organizatat që kanë dhënë kontributin e tyre që pilot projekti i Gjilanit të jetë shembull ndërshtetëror dhe i domosdoshëm për trajtim fillestar të rasteve të ndryshme me elemente të radikalizmit dhe ekstremizmit. “Gjilani është Komunë shembull sa i përket themelimit të Mekanizmit Referues për preventivë të rasteve të cilat janë me elemente të ekstremizmit që shpie në terrorizëm. Ne jemi edhe anëtarë të rrjetit global “Strong Cities Network”. Pilotimi i këtij projekti që është implementuar në Gjilan, me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ICITAP-it, Ambasadës Amerikane, UNDP-së dhe organizatave të tjera, ka treguar që rezultatet janë të prekshme. Kemi raste që tashmë janë trajtuar dhe janë me epilog pozitiv, tashmë të integruar plotësisht në jetën shoqërore. Natyra e këtyre rasteve është e ndryshme, por janë kryesisht me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, shëndetësore, që janë shfrytëzuar prej rrjeteve të ndryshme për radikalizim të tyre”, ka thënë kryetari Haziri. “Modeli sikur i Gjilanit, do të aplikohet edhe në Bosnje, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni, por edhe vende të tjera. Ne mendojmë se roli i Mekanizmit ka qenë me shumë rëndësi, me vet faktin që modeli ynë po merret model edhe për vende të tjera. Debati i sotëm i organizuar nga “LIZA-R”, ka nxjerrë rolin e shoqërisë civile, ku të rinjtë, OJQ-të dhe shkollat, mund ta luajnë rolin e tyre ne rrethet ku jetojnë. Nuk po flasim vetëm për radikalizimin islam. Evropa sot është radikalizuar kundër refugjatëve, është radikalizuar politikisht kundër zgjerimit etj. Por edhe forma të tjera të radikalizmit që ne do të punojmë për preventivë dhe trajtim fillestar të rasteve”, ka përfunduar kryetari Haziri. Kurse, kryetari i Gjykatës Themelore, Ramiz Azizi, drejtori i OJQ “Liza-R”, drejtori nga MKRS, Xhevat Bajrami, kanë potencuar se këto debate mundësojnë një komunikim të shtruar për një problematikë të vështirë që e ka prekur Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht kërkohet një veprim i zgjeruar institucional, por edhe shoqëror.

Lutfi Haziri me 80 shërbyes civil pozon para bibliotekës së qytetit si simbolikë e 80-vjetorit të fotos së parë

Gjilan, 31 gusht 2018 – Në shënim të 80-vjetorit të realizimit të fotos së parë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” dhe në shenjë simbolike ka realizuar një fotografi të përbashkët me 80 shërbyes civil të Komunës. Kryetari Haziri theksoi se gjenerata të tëra janë edukuar me librat e kësaj bibliotekë, duke dalë profile të ndryshme akademike e shkencore. Ai paralajmëroi se deri më 19 shtator kur edhe zyrtarisht bëhen 80 vite nga themelimi i kësaj biblioteke, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga ana e Komunës së Gjilanit. “Është shumë i rëndësishëm fakti se nga menaxhmenti mora lajmin se janë në fazën e fundit të grumbullimit të materialit dhe ne do të fillojmë më vonë me projektin online, e-biblioteka, i cili do të jetë një databazë e madhe e shënimeve dhe një mundësi e madhe për lexuesit”, ka thënë Haziri. Drejtori i bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli”, Qazim Azizi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e madhe që i ka ofruar këtij institucioni në vazhdimësi, duke njoftuar se tash për tash kjo bibliotekë posedon 90 mijë libra, që së bashku me gazetat dhe materialet tjera bibliotekare arrin në 130 mijë ekzemplarë. “Për tetë muaj që prej hapjes zyrtare të objektit të ri, janë 3588 anëtarë të rregullt të bibliotekës, mbi 19 mijë libra të lexuara, ndërsa lexues në baza ditore mbi 300. Për tetë muaj kemi dalë mbi mesataren e zakonshme shkaku i kushteve europiane që i posedon ky objekt, ndërsa mbi 61 mijë vizitorë që prej hapjes e kanë vizituar bibliotekën”, ka njoftuar ai.

Apostolova konfirmon mbështetjen për Gjilanin dhe komunat e Anamoravës

Gjilan, 30 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim në zyren e tij shefen e Bashkimit Europian në Kosovës, Nataliya Apostolova, për të vazhduar në takimin e përbashkët me kryetarët e shtatë komunave të Anamoravës në Bibliotekën e Qytetit. Kryetari Haziri, në hapjen e takimit të përbashkët, ka falënderuar Apolostolovën për vizitën dhe konfirmimin e mbështetjes për Gjilanin dhe komunat tjera të Anamoravës. “BE në mënyrë permanente e ka mbështetur Gjilanin me projekte të ndryshme, sic është kjo bibliotekë gjigante sipas standardeve, pastaj parkun në lagjen “Dardania”, etj. E falënderoj ambasadoren Apostolova për rolin e saj në zhvillim, interesimin për komunat, politikat lokale dhe mundësitë që Komisioni Europian përmes IPA dhe programeve tjera i ofron komunave, për absorbimin e këtyre mundësive për zhvillim lokal ekonomik si mundësi e vetme dhe shpresë për njerëzit e rinj, për qiftet e reja dhe për njerëzit që presin mundësi punësimi”, ka thënë Haziri. Shefja e Bashkimit Europian për Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se ka ardhur në Gjilan për të ofruar mbështetje për iniciativat e bashkëpunimit lokal, në veçanti ato që promovojnë tolerancën multietnike. “Jam e kënaqur që jam sot në Gjilan dhe në këtë regjion të Kosovës me specifika të veçanta. Kjo pjesë e Kosovës përfiton shumë nga bashkëpunimi ndërkufitar. Ky regjion ka sfida në aspektin ekonomik, të punësimit, të rinisë etj, por ne ju themi se ju i keni miqtë, Bashkimin Europian, për t’ju dalë në ndihmë. Jemi këtu për të ofruar mbështetje për iniciativat e bashkëpunimit lokal, në veçanti ato që promovojnë tolerancën multietnike, si dhe për të diskutuar fushat e bashkëpunimit të përbashkët”, tha Apostolova. Ajo ka inkurajuar krerët e komunave që të angazhohen në komunikim me autoritetet qendrore në mënyrë që të përfitojnë nga programet e Bashkimit Europian. “Kushdo që vije në Gjilan do të xhelozoj kur e sheh këtë objekt të bibliotekës, e cila është ndërtuar nga BE. Unë ju konfirmoj që do ta rrisim mbështetjen për bizneset, farmerët, rininë etj. Me kryetarin Haziri u pajtuam që rinia është pjesa kryesor ee vendit dhe synojmë që të ofrojmë mbështetje në këtë fushë dhe të tjera. BE është mbështetësja kryesore e nivelit qendror dhe ne po bëjmë master plane dhe strategji, e me këtë rast, ju lus që të angazhoheni në komunikim me autoritetet qendrore në mënyrë që të përfitoni”, theksoi Apostolova. Në takimin e sotëm kanë kontribuar me kërkesa dhe adresime për cështje të ndryshme edhe kryetarët tjerë të komunave të regjionit të Anamoravës. Pas takimit, kryetari Haziri dhe ambasadorja Apostolova kanë vizituar të gjitha sektorët e Bibliotekës Rajonal “Fan S. Noli”.

Komuna e Gjilanit subvencionon bletarët me 30 centrifuga elektrike

Gjilan, 29 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë përgëzuar përfituesit e 30 centrifugave elektrike dhe kanë garantuar për rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019. Në fjalën e tij kryetari Haziri ka thënë se baza e zhvillimit lokal-ekonomik në Anamoravë mbetet bujqësia, e cila është siç ka thënë ai është qeliza e zhvillimit dhe baza kryesore që do të vazhdojmë me investime dhe rritje të subvencioneve. “Uroj përfituesit dhe pas këtyre centrifugave ne do të vazhdojmë me subvencionimin e gjedhit. Ne jemi regjioni më i madh që po hymë në industrinë e përpunimit të ushqimit, konkretisht përpunimin e mishit. Do të vazhdojmë tutje në bazë të programit për bujqësinë që të financojmë projektet vjeshtore. Jemi përfitues të programeve të Komisionit Evropian, e sot edhe nga USAID-i, që Komuna e Gjilanit është duke kërkuar vazhdimisht programe e projekte në emër të bujqve”, ka pohuar kryetari Lutfi Haziri. Kurse, nga ana e tij, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani ka potencuar se janë në vazhdimësi të angazhuar falë mbështetjes së kryetarit për të përkrahur çdo degë të bujqësisë përmes programeve të ndryshme me donator, por edhe me subvencione direkte për ngritje të zhvillimit ekonomik-lokal. “Në vitin 2014 bletarët janë pajisur me 750 shtëpiza tre katëshe për bletë, në vitin 2015 janë përfitues 155 bletarë me janë pajisur me rroba dhe pajisje tjera të punës, po ashtu edhe në vitin 2016 dhe 2017, kemi ndarë 70 centrifuga, kurse me projektin e sotëm të shpërndarjes së 30 centrifugave, ne përmbyllim pajisjen e të gjithë bletarëve që kultivojnë mbi 30 shoqëri. Në Gjilan nuk ka bletar që posedon mbi 30 bletë e që nuk është pajisur me centrifugë elektrike”, ka thënë drejtori Ramadani. “Planifikimi i Drejtorisë për këtë vit është subvencionimi i mbjelljeve vjeshtore me farë gruri dhe po në këtë vit do të bëhet ngritja e 20 hektarëve me kulturën e arrës, falë mbështetjes së kryetarit Haziri, që Gjilanit i ka siguruar edhe një program zhvillimor në vlerë prej rreth 500 mijë euro dhe sektori i bujqësisë është përfituesi kryesor”, tha Ramadani. Ai më tej ka njoftuar se Gjilani ka 297 bletarë, prej të cilëve 101 bletarë kultivojnë mbi 30 shoqëri bletësh e 196 të tjerë kanë më pak se 30 shoqëri, që mbledhur në total në Gjilan janë gjithsej 6700 shoqëri bletësh.

Gjilani nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për trajnimin e të rinjve në kompanitë prodhuese

Gjilan, 29 gusht 2018 – Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) sot nënshkroi një marrëveshje të mirëkuptimit me Komunën e Gjilanit për fillimin e implementimit të “Programit për Trajnimin në Punë”, program ky i cili mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sida. Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional. Për këtë arsye, KPK, së bashku me partnerët nga sektori privat, ka filluar implementimin e këtij Programi, i cili është i strukturuar për zhvillimin e aftësive profesionale tek të rinjtë dhe rritjen e mundësisë së punësimit të tyre. Në komunën e Gjilanit, përfituesit e parë të këtij programi do të jenë të rinj, të cilët do të trajnohen në punë përmes angazhimit direkt në kompani. Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve do të kanë mundësi të punësohen tek kompanitë partnere prodhuese të Klubit. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës. Kryetari i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri tha se ndihet mirë që të rinjve po u mundësohet që ta provojnë veten në punë praktike në sektorin e prodhimit. “Për ne është kënaqësi që edhe një program i USAID po vije në Gjilan. Unë shpresojë shumë që të rinjtë do të dëshmohen me marrjen e përvojës, aftësive profesionale, marrjen e shkathtësive të reja dhe të mbesin në ato vende të punës, që ky është edhe qëllim i programit”, ka thënë Haziri. Komunat tjera përfituese nga ky Program janë edhe Kaçaniku, Vitia dhe Hani i Elezit. Gjatë javëve në vazhdim, Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen aplikimet për përzgjedhjen e kandidatëve në këto komuna.

Gjilanasit kontribuojnë me kërkesa të shumta për investime komunitare në dëgjimet publike

Gjilan, 28 gusht 2018 – Qytetarët e Gjilanit, në 10 debatet publike që janë mbajtur këtë muaj për planifikimin e buxhetit për investimet në vitin fiskal 2019 dhe vlerësimet e hershme 2020-2021, kanë kontribuar me kërkesa për investime komunitare, të cilat nga autoritetet komunale janë vlerësuar reale. Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se cikli i 10 dëgjimeve buxhetore i cili ka filluar më 23 gusht, dje është përmbyllur me sukses me organizimin e debateve me komunitetet pakicë, me rininë e gratë, me banorët e Dobërçanit dhe me ata të Kmetocit, ku është përfshirë edhe Shillova, Verbica e Kmetocit dhe Përlepnica. Maliqi tha se kërkesat e qytetarëve të cilat janë paraqitur në këto debate, do të trajtohen me seriozitet dhe me të gjitha mundësitë do të inkorporohen në planifikimin e buxhetit për investime në vitin e ardhshëm. Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, është shprehur se investimet në kuadër të katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore të dala nga programi i kryetarit Haziri 2018 plus, do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, por tha se kërkesat e qytetarëve për investime komunitare, do të trajtohen veç e veç dhe do t’i dalin në ndihmë atyre sa i përket implementimit. Nën organizimin e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, janë mbajtur dëgjime buxhetore edhe me qytetarët e Llashticës, Grykës së Karadakut, Cernicës, Livoçit të Ulët, Dheut të Bardhë dhe Pogragjës, ku janë përfshirë edhe fshatrat tjerë.

Gjilani nis dezinfektimin e 58 shkollave fillore dhe të mesme

Gjilan, 28 gusht 2018 – Komuna e Gjilanit ka nisur sot dezinfektimin e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme, proces ky i cili do të zgjas për tri ditë me radhë. Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, ka njoftuar se sot do të dezinfektohen objektet shkollore në qytet, përderisa gjatë dy ditëve në vazhdim pritet të bëhet dezinfektimi në objektet shkollore në fshatra. “Qëllimi ynë është që të ruhet shëndeti i nxënësve dhe personelit të shkollave. Sipas kërkesave të tyre, do ta bëjmë edhe deratizimin”, ka deklaruar i pari i shëndetësisë në Gjilan. Vlen të theksohet se Drejtoria e Shëndetësisë në Gjilan gjatë veres ka bërë dezinsektimin e ambientit me tre faza, për të eliminiuar mushkonjat dhe insektet tjera të bezdishme.

12345678910...